Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Kulturës, përkatësisht nga Instituti Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, më poshtë IKTK, është institucion kombëtar i specializuar shkencor, në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, i krijuar nga Ligji Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, dhe Vendim Nr. 364, datë 29.5.2019 “Për Funksionimin dhe Mënyrën e Zhvillimit të Veprimtarisë së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore”.
IKTK-ja ushtron veprimtarinë në fushën e trashëgimisë kulturore materiale, me qëllim gjurmimin, hulumtimin, studimin, projektimin, konservimin, restaurimin, mbikëqyrjen, kolaudimin, promovimin, publikimin e trashëgimisë kulturore materiale. Ajo ushtron veprimtarinë në fushën e arkeologjisë parandaluese e të shpëtimit dhe studimit të trashëgimisë arkeologjike, si rrjedhojë e planifikimit urban e territorial në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, harton kriteret e hulumtimeve arkeologjike, shqyrton dokumentacionin teknik në lidhje me to, si dhe kryen mbikëqyrjen e proceseve arkeologjike dhe ecurisë së projekteve zhvillimorë, në varësi të vendimeve të organeve vendimmarrëse kolegjiale.
Në mbështetje të informacionit të siguruar nga veprimtaria e tij, nga institucionet e specializuara që kryejnë veprimtari të kërkimit arkeologjik, si dhe nga subjektet e licencuara në fushën e arkeologjisë, harton, përditëson dhe publikon platformën digjitale për veprimtarinë arkeologjike në Republikën e Shqipërisë. Institucionet dhe subjektet e sipërpërmendura kanë detyrimin të depozitojnë, rregullisht, pranë IKTK-së të dhënat në formën digjitale, pas çdo aktiviteti nga veprimtaria e kërkimit arkeologjik. IKTK-ja, në përmbushje të funksioneve të veta, monitoron dhe bashkërendon punën me drejtoritë rajonale të trashëgimisë kulturore, bashkëpunon me njësitë e vetëqeverisjes vendore, subjektet publike dhe private, vendase apo të huaja, në fushën e trashëgimisë kulturore materiale. Pranë IKTK-së funksionon Qendra Rajonale për Konservim dhe Restaurim (QRKR),që kryen këto funksione:
- a) formon dhe përditëson njohuritë e restauratorëve dhe të subjekteve të licencuara, në përputhje me parashikimet e këtij ligji;
- b) harton dhe zbaton programe të kualifikimit të specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore materiale.
Mënyra e funksionimit, organizimit dhe veprimtarisë së QRKR-së përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. IKTK-ja funksionon në bazë të dispozitave të këtij ligji, si dhe statutit të miratuar me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.