Programi dhe Aktiviteti i QRKREJ

Programi dhe Aktiviteti i QRKREJ

Qendra Rajonale për Konservim dhe Restaurim e Evropës Juglindore (QRKREJ) është një prej Sektorëve tekniko-shkencor të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK). Në kuadër të Ligjit 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, Neni 29, pika 8, QRKREJ

Kryen këto funksione:

a) formon dhe përditëson njohuritë e restauratorëve dhe të subjekteve të licensuara, në përputhje me parashikimet e këtij ligji;

b) harton dhe zbaton programe të kualifikimit të specialistëve në fushën e trashëgimisë kulturore materiale”.

Si filloi?

“Qendra për Restaurim dhe Konservim të Monumenteve”, është një projekt i ndërmarrë në vitin 2005, në kuadër të ngritjes së kapaciteteve në fushën e mbrojtjes dhe restaurimit të Trashëgimisë Kulturore në Republikën e Shqipërisë. Projekti u bazua në Marrëveshjen midis Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve (i atëhershëm) dhe Drejtorit të Divizionit të bashkëpunimit pranë UNESCO-s, Kjo iniciativë u financua falë kontributit të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane ndaj UNESCO-s. Qendra u vendos në ambjentet e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe nën koordinimin e këtij institucioni.

Qendra nisi aktivitetin e saj në vitin 2007 me zhvillimin e një kursi specializimi 2-vjeçar për rilevim dhe restaurimin arkitektonik të monumenteve të kulturës, si dhe konservim dhe restaurim të veprave të artit.

Në Konferencën e 5 të Ministrave përgjegjës për Kulturën në Evropën Jug-Lindore të mbajtur në 20 Shtator 2008 në Bukuresht, Ministrat e shteteve pjesëmarrës (Shqipëria, Bosnja dhe Herzegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia dhe Italia), në dokumentin final theksuan vullnetin e qeverive të rajonit për ndërmarrjen e iniciativave të përbashkëta dhe bashkëpunimin në nivel rajonal për të rritur efektshmërinë dhe vazhdimësinë e veprimeve në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Në pikën 9 (nëntë), ata kanë mirëpritur krijimin e Qendrës së Restaurimit në Tiranë, me bindjen se ky institucion do të kontribuojë në mbështetjen e trajnimeve dhe ngritjen e kapaciteteve të kësaj fushe në nivel rajonal. Ministrat i kanë veshur kështu Qendrës së Tiranës një nivel ndërkombëtar për mbulimin e kësaj fushe në Rajonin e Evropës Juglindore.

Prej vitit 2013, QRKREJ zhvillon aktivitetin si një prej Sektorëve së IKTK-së.

QRKREJ ka organizuar, nën koordinimin e UNESCO-s, kurse afatshkurtra dhe afatmesme në fushën e konservimit dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore.

Kurset e trajnimit të zhvilluara në periudhën 2007-2020

Me qëllim forcimin e kapaciteteve teknike profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore materiale, QRKREJ zhvillon kurse trajnimi të organizuar në 5-pesë Module kryesore si më poshtë:

Teknika dhe metodologji të Konservimit dhe Restaurimit

Shqipëria është një vend me një histori shumë të pasur, dëshmi e jetës së pandërprerë që nga prehistoria e deri në ditët e sotme. Kjo pasuri e madhe shprehet në një numër të konsiderueshëm pasurish kulturore materiale, fenomene të trashëgimisë kulturore jomateriale dhe shprehish kulturore. Pasuritë kulturore duhet të konsiderohen dëshmi të kohës së tyre, të marrëdhënieve shoqërore, të nivelit tekniko material të shoqërisë dhe ndërtuesve dhe të individualitetit të krijuesit. Pasuritë kulturore përbëjnë dokumente shkencore me vlera të mëdha për studimin dhe dokumentimin e historisë. Në këtë kontekst, trajtimi i pasurive kulturore, një aktivitet shumë disiplinor, duhet të paraprihet nga hulumtime të mirëfillta kërkimore dhe teknike.
Ky modul, përfshin tema që synojnë forcimin e kapaciteteve profesionale në studimin, analizimin e gjendjes statike dhe të konservimit, përcaktimin e shkaqeve konkrete të dëmtimeve si dhe përcaktimin e mënyrës së konservimit dhe restaurimit të tyre. Njohja me konceptet dhe marrja parasysh e legjislacionit dhe e disa normave teknike bazë sipas fushave  Arkeologji, Arkitekturë, Vepra arti, ndihmon në proceset e studimit, dokumentimit, diagnostikimit, projektimit dhe zbatimit të punimeve të konservimit dhe restaurimit.

Shkenca e materialeve në proceset e konservimit dhe restaurimit

Disiplina e konservimit e ka zanafillën rreth kulturës materiale. Trashëgimia kulturore e ndërtuar, pjesë e rëndësishme e kulturës materiale, është në vetvete një bazë e pasur me të dhëna rreth materialeve tradicionale të përdorura në ndërtim duke përfshirë të dhëna rreth sjelljes së tyre, qëndrueshmërisë dhe gamës së dëmtimeve që ato pësojnë. Njohja e vetive themelore të materialeve të ndërtimit përkatësisht: fizike, kimike, mekanike dhe teknologjike të cilat janë përcaktuesit bazë të aplikimit të tyre në ndërtim, është e domosdoshme për përdorimin e tyre efektiv si dhe për përcaktimin e trajtimit dhe kujdesit ndaj tyre.
Moduli mbi shkencat e materialeve, përfshin tema për njohjen / identifikimin, dokumentimin, diagnostifikimin, mirëmbajtjen dhe ndërhyrjet konservuese dhe restauruese në materialet tradicionale si guri, qeramika, qelqi, metali, druri etj, të përdorura gjerësisht në gjininë e trashëgimisë kulturore materiale në Shqipëri.

Përfshirja e komunitetit në trashëgimi kulturore

Zhvillimi i qendrueshëm ka qenë në qendër të politikës evropiane për një kohë të gjatë, të vendosur në Traktatet Evropiane. Agjenda 2030 dhe 17 Objektivat (SDG) të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2015, i kanë dhënë një shtysë të re përpjekjeve globale për të arritur një zhvillim të qendrueshëm. Qasja me fokus njerëzit është baza ku mbështetet Agjenda 2030 në kërkesat për një të ardhme më të mirë për vetë njerëzit dhe planetin. Kjo qasje e re, me fokus te njerëzit, edhe pse ende e konsideruar sfidë, ka nisur të reflektohet edhe në sektorin e trashëgimisë kulturore. ICCROM është një prej institucioneve ndërkombëtare i cili ka qenë i angazhuar në përgjigjen ndaj kësaj sfide dhe ka qenë promotor i programit “Promovimi i qasjeve me fokus njerëzit”. Meqenëse trashëgimia ka rëndësi për shoqërinë në tërësi, ekziston një thirrje e fortë për njerëzit që të angazhohen më shumë në vendimmarrjen e trashëgimisë dhe që trashëgimia t’i shërbejë mirëqenies së tyre.
Qëllimi i këtij moduli është të theksojë mënyra të ndryshme konceptimi të trashëgimisë duke përfshirë si të integruara bashkë me vlerat natyrore dhe ato shpirtërore të lidhura me to. Koncepte si “Peisazh Kulturor”, “Peisazh Historik Urban” (HUL), “Governance” – (mënyrat e qeverisjes apo të menaxhimit duke përfshirë dhe komunitetin, “Interpretimin” etj., janë disa prej temave të trajtuara nëpërmjet këtij moduli.

Ndërhyrje emergjente në Trashëgiminë KulturoreShkenca e materialeve në proceset e konservimit dhe restaurimit

Shqipëria është një vend i ekspozuar ndaj rreziqeve më të zakonshme me origjinë natyrore gjeologjike, hidrologjike, atmosferike etj. Ajo paraqet rrezik të lartë potencial nga rreziqet natyrore si: tërmetet, përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e dheut, etj. Monumentet dhe sitet e trashëgimisë kulturore duke përfshirë qendrat historike, ansamblet urbane dhe sitet arkeologjike në Shqipëri, përballen me këtë gamë të shumëfishtë rreziqesh natyrore, duke paraqitur në disa raste cenueshmëri të lartë për shkak dhe të një sërë faktorësh rreziku të shkaktuar nga njerëzit.
Me qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale të sistemit të trashëgimisë kulturore, Moduli përfshin tema mbi parandalimin, përgatitjen dhe përballimin efektiv të situatave emergjente të krijuara si pasojë e fatkeqësive natyrore apo atyre të shkaktuara nga njeriu. Disa nga parimet udhëheqëse të këtij moduli janë që praktikat e reduktimit të rrezikut nga fatkeqësitë duhet të fokusohen në vlera, duke i përdorur ato si një bazë e qartë për vendimmarrje. Ai gjithashtu propozon përdorimin e një qasjeje të integruar ndërsektoriale dhe të fokusuar te njerëzit, si e detyrueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve të trashëgimisë kulturore.

Trashëgimia Botërore

Shqipëria është anëtare e UNESCO-s që prej vitit 1958, si dhe ka ratifikuar në vitin 1989 Konventën për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore 1972. Aktualisht Shqipëria përfaqësohet në Listën e Trashëgimive Botërore me dy pasuri kulturore (Butrinti dhe Qendrat Historike të Gjirokastrës dhe Beratit), një pasuri miks kulturore/natyrore (Trashëgimia natyrore dhe kulturore e rajonit të liqenit të Ohrit) si dhe një pasuri natyrore. Si shtet palë i Konventës, Shqipëria zbaton udhëzuesin operacional, ku paraqiten linjat kryesore që duhet të ndiqen në proceset e shpalljes, menaxhimit dhe raportimit periodik për gjendjen e konservimit të pasurive botërore. Ky Modul synon forcimin e kapaciteteve profesionale mbi konceptet si “vlera e veçantë universale (outstanding universal value)”, “indikatorët e monitorimit (monitoring indicators)”, “plani i menaxhimit (management plan)”, “vlerësimi i impaktit në trashëgimi (heritage impact assessment)”, etj. Gjithashtu synon të japë një qasje gjithëpërfshirëse në proceset e mbrojtjes dhe menaxhimit të pasurive botërore.

Vlerësime ndërkombëtare!

 QRKREJ ka krijuar një imazh dhe një eksperiencë të mirë sa i përket forcimit të kapaciteteve në fushën e trashëgimisë kulturore duke u cilësuar si pjesë e “Koleksionit të Artë” të praktikave të mira të Strategjisë 21 të Këshillit të Evropës:

https://www.coe.int/en/web/culture-and-heritage/-/regional-centre-for-conservation-and-restoration-for-south-east-europe