
07 Jul Takimi i 1-rë koordinues me ekspertët mbi PMI Berat dhe Gjirokastër
Zhvillohet takimi i parë koordinues midis ekspertëve ndërkombëtarë dhe grupit teknik të IKTK-së mbi zhvillimin e planit të menaxhimit të integruar për qendrat historike Berat dhe Gjirokastër.
Në fokus të takimit ishte prezantimi me ecurinë e deritanishme të projektit si dhe njohja e grupit teknik me dy ekspertët ndërkombëtarë të përzgjedhur nga Qendra e Trashëgimisë Botërore për të ofruar asistencë teknike në zbatimin e këtij projekti. Përfaqësuesit e UNESCO-s, ICOMOS dhe ICCROM përgëzuan punën e deritanishme të zhvilluar nga IKTK me bashkëpunimin e palëve të interesit. Veçanërisht shprehën vlerësim mbi qasjen gjithëpërfshirëse të ndjekur deri tani nga IKTK në konsultimin e palëve të interesit si dhe në konsultimin e komunitetit në Berat dhe Gjirokastër.
Znj. Luisa De Marco, Eksperte e ICOMOS, me përvojë të gjerë në fushën e mbrojtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe pejsazhit, me kontribut të drejtpërdrejtë në hartimin e planeve të menaxhimit në zonat pasuri botërore Proto Venere, Cinque Terre në Itali, si dhe një nga ekspertët ndërkombëtarë që ka asistuar shtetin shqiptar në procesin e hartimit të dosjes për shpalljen pasuri botërore të pjesës shqiptare të liqenit të Ohrit.
- Michael Huber, Ekspert i ICCROM, në fushën e planifikimit të pejsazhit me përvojë ndërsektoriale në menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe burimeve natyrore/kulturore dhe hartimin e strategjive për konservimin dhe politikave për zhvillimin e qendrueshëm.
Pjesëmarrësit vendosën mbi zhvillimin e një Workshopi mbi temat e lidhura me Planin e Menaxhimit në muajin shtator 2022, në koordinim të përbashkët midis IKTK-së dhe dy ekspertëve ndërkombëtarë.