
03 Jun Gërmimi arkeologjik i shpëtimit në termën e periudhës romake, pranë fshatit Rrasë
Ka nisur puna për gërmimin arkeologjik të shpëtimit për zbulimin e strukturave të një terme të periudhës romake, pranë fshatit Rrasë të Bashkisë Belsh. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, pas njohjes me terrenin dhe në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Bashkinë Belsh, është angazhuar të vijojë të gjithë procesin, për të hulumtuar më tej shtrirjen e këtij kompleksi dhe për të marrë çdo informacion arkeologjik të panjohur më parë, për këtë zonë.
Puna ka nisur me procesin e pastrimit dhe piketimit të hapësirës ku do të kryhet gërmimi arkeologjik, në bashkëpunim me studentët e UT, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë si dhe Departamentin e Trashëgimisë Kulturore dhe Arkeologjisë.
Ky zbulim i veçantë do të jetë një vlerë e shtuar për zonën e Belshit dhe më gjerë, duke sjellë njohuri më të thelluara rreth kronologjisë së ndërtimit, zhvillimit si dhe tipologjisë ndërtimeve të këtij lloji në territorin e vendit tonë.