
01 Jun Takim teknik mbi hartimin e Planit Strategjik të Rimëkëmbjes …
Takim teknik mbi hartimin e Planit Strategjik të Rimëkëmbjes mbi “Trashëgiminë Natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit”
Në qytetin e Ohrit u zhvillua takimi teknik i ekspertëve mbi hartimin e Planit Strategjik të Rimëkëmbjes për Pasurinë Botërore ndërkufitare mikse “Trashëgimia Natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit”. Në këtë takim morën pjesë ekspertë nga institucionet kombëtare, rajonale dhe lokale nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që janë pjesë e Komitetit të Përbashkët Ndërkufitar të Pellgut Ujëmbledhës të Liqenit të Ohrit.
Institucionet përgjegjëse për komponentin natyror dhe kulturor të të dy vendeve, ndanë punën e deritanishme në kuadër të hartimit të Planit Strategjik të Rimëkëmbjes. Gjithashtu, grupi përfaqësues i Ministrisë së Kulturës mbajti një prezantim mbi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të Misionit Reaktiv të Monitorimit 2021, për komponentin kulturor, formatin si dhe metodologjinë e ndjekur për hartimin e Planit.
Plani Strategjik i Rimëkëmbjes për këtë pasuri botërore është kërkesë e Komitetit të Trashëgimisë Botërore UNESCO, me qëllim shmangien e faktorëve që mund të rrezikojnë vlerat universale të pasurisë. Grupet teknike të të dy vendeve do të zhvillojnë disa takime gjatë procesit të punës, me qëllim hartimin e një projekt-plani të integruar brenda vitit 2022.