17 May Përfundojnë ndërhyrjet në Kalanë e Prezës
Nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019, një numër i konsiderueshëm i pasurive kulturore apo dhe objekteve brenda zonave pasuri kulturore pësuan dëmtime strukturore, duke rrezikuar humbjen e vlerave të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Një ndër këto objekte ishte dhe Kalaja e Prezës.
Kulla e Sahatit, muri i fortifikuar dhe një nga kullat (ajo veri-lindore), kishin pësuar dëme të mëdha, duke shfaqur një rrezik për rënien totale të strukturës. Pjesa prej murature guri të Kullës së Sahatit dhe murit të fortifikuar ishin shkatërruar pjesërisht. Çatia e Kullës së Sahatit ishte shkatërruar plotësisht.
Me mbështetjen financiare të Fondit të Ambasadorëve të ShBA për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore (AFCP) dhe Suedisë, si dhe me mbështetjen shkencore të Fondit Botëror të Monumenteve, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, CHwB Albania hartoi projektin dhe koordinoi procesin e restaurimit dhe përforcimit për këtë monument të rëndësishëm.
Disa nga ndërhyrjet kryesore vendimtare përfshinë riparimin dhe përforcimin e themeleve të kullës rrethore, rindërtimin e muraturës së shembur në të dyja kullat dhe përfocimin strukturor, për të përmirësuar kapacitetin sizmik të strukturës. Kolonat e gurit dhe muratura janë rindërtuar duke respektuar teknikat tradicionale dhe duke përdorur gurët origjinalë që ishin rrëzuar gjatë tërmetit. Zbatimi i punimeve u realizua nga kompania LEON Konstruksion në periudhën prill 2021 – prill 2022.