
26 Apr Inspektim në Kishën e Shën Mëhillit, në Mingul, Gjirokastër
Specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore kanë inspektuar Kishën e Shën Mëhillit, në fshatin Mingul, Gjirokastër.
Kisha, monument kulture i kategorisë së I-rë, përbëhet nga naosi, narteksi, hajati dhe një ambient i shtuar në anën perëndimore të saj. Brendësia e kishës ka qenë e zbukuruar me piktura murale, të cilat i përkasin shek. XVIII-XIX. Piktura shtrihet në ambientin e bemës së shenjtë (altar dhe nike e protezisit), në nefin qendror të naosit dhe atë verior dhe trajton tematika të frymëzuara nga tekstet ungjillore, nga Dhiata e Vjetër apo Jetë Shënjtorësh.
Inspektimi i kryer nga specialistë të IKTK me profile ndërdisiplinore, kishte në fokus evidentimin e gjendjes së konservimit të objektit pasuri kulturore, me qëllim vijimin e procesit për hartimin e projektit për ndërhyrje restauruese e konservuese në strukturë dhe në pikturën murale.