21 Apr Nis puna për kartelizimin digjital të pasurive kulturore
Në ambientet e IKTK-së, mes specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij Shqipëri (CHwB Albania) ka nisur puna për aplikimin e një prej nismave me mjaft rëndësi në fushën e trashëgimisë kulturore – kartelizimi digjital i pasurive kulturore. Projekti zbatohet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur midis IKTK-së dhe CHwB-së dhe parashikohet të zgjasë për një periudhë 2-vjeçare.
Përditësimi i formatit të kartelave ekzistuese të pasurive kulturore, me qëllim përpilimin e të dhënave për vlerësimin e gjendjes së konservimit të tyre në format databaze digjitale, do të nisë fillimisht me Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, për të vijuar më tej edhe me drejtoritë e tjera. Projekti do të përfshijë trajnimin e stafeve të DRTK-ve që do të angazhohen në këtë proces. Gjithashtu, studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Urban, do të përfshihen në procesin e përditësimit të informacionit në terren mbi gjendjen ekzistuese të pasurive kulturore, nëpërmjet praktikave studentore.