IKTK merr pjesë në Konferencën Shkencore “Viti Akademik 2021”

IKTK merr pjesë në Konferencën Shkencore “Viti Akademik 2021”

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore u përfaqësua në Konferencën Shkencore “Viti Akademik 2021”, organizuar nga Instituti i Arkeologjisë, konferencë e cila u mbajt në ambientet e Muzeut Arkeologjik, ku specialistë të fushës ndanë rezultatet e kërkimeve të kryera përgjatë vitit 2021.

IKTK u prezantua me temën: “Varreza e Mesjetës së Hershme në Qytetin e Përmetit”, një përmbledhje e rezultateve të gërmimit arkeologjik të shpëtimit të varrezës mesjetare në qytetin e Përmetit, realizuar nga arkeologët e DSHA-së.

Të dhënat e përfituara nga gërmimi arkeologjik i varrezës konsiderohen mjaft të rëndësishme për periudhën që ato përfaqësojnë, pasi sjellin të dhëna me vlerë rreth përhapjes së kulturës arbërore në shek. VII-IX pas erës sonë, riteve të varrimit, tipareve kulturore të popullsisë dhe aspekteve të tjera të jetës shoqërore. Puna vijon ende nga specialistët, me konservimin dhe studimin e objekteve arkeologjike dhe qëllimi final është publikimi i këtyre gjetjeve dhe të dhënave, në një artikull shkencor.