Kurs trajnimi rajonal: “Ndërhyrje Emergjente në Trashëgiminë Kulturore në Rrezik – ERCH 2018”

Kurs trajnimi rajonal: “Ndërhyrje Emergjente në Trashëgiminë Kulturore në Rrezik – ERCH 2018”

Kursi i trajnimit rajonal: “Ndërhyrje Emergjente në Trashëgiminë Kulturore në Rrezik – ERCH 2018”, u projektua në kuadër të zbatimit të Konventës së Trashëgimisë Botërore me qëllim forcimin e kapaciteteve në fushën e Trashëgimisë Kulturore. Ky kurs u mendua të implementohet në Qendrën Historike të qytetit të Gjirokastrës, për vetë specifikën që është Pasuri Botërore dhe gamën e gjerë të rreziqeve që hasen në këtë Qendër Historike. Në këtë kurs trajnimi rajonal pati pjesëmarrje nga 10 shtete të ndryshme. Kursi rajonal i trajnimit kishte për qëllim zhvillimin e njohurive për identifikimin, vlerësimin e dëmtimeve në trashëgiminë kulturore në rrezik, si dhe metodat e ndërhyrjeve emergjente në kushte të burimeve të kufizuara njerëzore, financiare dhe kohore,  për të vënë në siguri strukturat e dëmtuara dhe /ose të rrezikuara.

Qasja e këtij trajnimi ishte zhvillimi i një eksperience bashkëpunimi midis të trajnuarve për arritjen e objektivave të mëposhtme:

  • vlerësimin e dëmtimeve strukturore dhe identifikimin e metodave të përforcimit strukturor në situata emergjente;
  • vendosjen e prioriteteve gjatë një situate emergjente dhe ndërmarjen e zgjedhjeve bazuar në një proces të mirë koordinuar me përfshirjen e të gjitha palëve në vend;
  • theksimin e një qasjeje ndërdisiplinore të nevojshme për një vlerësim të plotë të dëmtimeve dhe të rrezikut potencial;
  • masat emergjente të konceptohen si pjesë e një sistemi të integruar për menaxhimin e riskut në trashëgiminë kulturore, duke përfshirë të gjitha hapat që nga parandalimi, marrja e masave paraprake për vënie në siguri, ndërhyrjet restauruese afatgjata dhe monitorimi.

Në kuadër të këtij trajnimi, u realizua në bashkëpunim me Drejtorinë e M.Z.SH., Bashkinë Gjirokastër, Policinë e Shtetit, Spitalin “Omer Nishani” Gjirokastër, OSHEE si dhe DRKK Gjirokastër, një simulim i një rasti zjarri në Muzeun Etnografik Gjirokastër. Pjesëmarrësit e trajnimit, u instruktuan paraprakisht nga forcat e shërbimit zjarrëfikës, si dhe ekspertët ndërkombëtarë për mënyrën e përfshirjes së tyre në ushtrim në role të ndryshme si: grupi i vëzhguesve të ndërhyrjes në pika të ndryshme brenda dhe jashtë godinës, grupi që u përfshi në evakuimin dhe shpëtimin e personave dhe objekteve me vlerë në bashkëpunim me personelin e Muzeut Etnografik, grupi i personave të izoluar në katet e sipërme të ndërtesës të cilët u evakuuan nga shërbimi zjarrëfikës nëpërmjet rrugës kryesore të emergjencës dhe pasi kjo rrugë u bllokua nga flaka dhe zjarri – u mundësua evakuimi i pjesës tjetër të grupit nga kameria e banesës me litar dhe shkallë. Pjesë e ushtrimit të tyre ishte hartimi i një plani evakuimi emergjence në këtë objekt të trashëgimisë kulturore dhe muze.

  • Shërbimi i urgjencës së spitalit “Omer Nishani” Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e M.Z.SH si dhe pjesëmarrësit e trajnimit u përfshi në simulim duke i dhënë ndihmën e parë dhe duke transportuar një person të dëmtuar si pasojë e zjarrit.
  • Policia e Shtetit ishte prezente gjatë gjithë kohës duke mundësuar sigurimin e kalimit të mjeteve zjarrëfikëse dhe urgjencës dhe sigurinë e qytetarëve që ndodheshin në afërsi të objektit.

Me anë të këtij simulimi, kursi i trajnimit ERCH-2018 synoi ndërgjegjësimin e profesionistëve të trashëgimisë kulturore dhe komunitetit mbi nevojën e bashkëpunimit dhe koordinimit me ekspertët e ndërhyrjes emergjente dhe forcave zjarrëfikëse gjatë një situate emergjence në objekte të trashëgimisë kulturore.

Galeri