16 Dec Kurs trajnimi kombëtar: “Analizë Strukturore, Metoda Përforcuese dhe Teknika të Muraturave në Ndërtesat Historike”
Periudha | 30 tetor – 10 nëntor 2017 |
Vendi | Tiranë, Voskopojë |
Moduli | Teknika dhe metodologji të konservimit dhe restaurimit |
Nr. i pjesëmarrësve | 20 Shqipëri, Kosovë |
Financimi | UNESCO nëpërmjet Participation Programme 2016-2017 |
Lektor ndërkombëtar | 1 |
Lektor kombëtar | 1 |
Gjuha e trajnimit | Anglisht, italisht, shqip |
Produkti final | Publikim: “Structural Analysis, Reinforcement Methods and Techniques of Historic Masonry Buildings” |
Qëllimi i trajnimit | Zhvillimin dhe forcimin e njohurive për pjesën e profesionistëve të rinj të sistemit të Trashëgimisë Kulturore. Identifikimin dhe vlerësimin e gjendjes të strukturës të ndërtesave historike me muraturë, sjelljen statike të ndërtesave dhe analizimin e shkaqeve kryesore të dëmtimit dhe kolapsit strukturor. Gjithashtu ky trajnim kishte për qëllim njohjen me metodat dhe teknikat e ndërhyrjeve të konservimit dhe përforcimit strukturor, duke respektuar kriteret e konservimit dhe restaurimit të ndërtimeve historike. |
Strukturat janë elemente kyç të ndërtimeve dhe siteve historike, me rolin e tyre si konstruksion mbajtës dhe si përfaqësuese të teknikave të ndërtimit të një kohe apo kulture të hershme. Megjithëse elementet e konstruksionit apo strukturat mund të mos jenë të dukshme, ato janë thelbësore për integritetin dhe autenticitetin e ndërtimeve të trashëgimisë kulturore. Duke pasur parasysh rreziqet që i kanosen strukturave të këtyre ndërtimeve dhe efektin kohë, shpesh herë përballemi me struktura të transformuara ose të dëmtuara, që vënë në rrezik qëndrueshmërinë e vetë ndërtesave. Për të arritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e këtyre ndërtimeve nevojiten ndërhyrje të karakterit strukturor të cilat ndonjëherë duhet të realizohen në kohë të limituar. Megjithatë vendimi dhe metoda për të ndërhyrë në një strukturë duhet të bazohet në analiza kritike dhe të merret parasysh ruajtja e vlerave të këtyre ndërtesave.
Ky kurs trajnimi u projektua që të përqendrohej në çështjet e Analizës Strukturore dhe Vlerësimit të Muraturave në Ndërtesat Historike, si dhe të ofronte njohuri mbi Metodat dhe Teknikat e përforcimit të tyre. Trajnimi u organizua në tre module kryesore duke përfshirë leksione teorike, vizitë në terren për marrjen në shqyrtim të një rasti studimor, konkretisht Kishën e Shën Mëhillit, Voskopojë, Korçë:
Moduli 1, “Trashëgimia Kulturore, Konservimi i monumenteve, materialet dhe teknikat tradicionale të ndërtimit në Shqipëri”;
Moduli 2, “Vlerësimi dhe analiza e gjendjes statike të konstruksionit, sistemet e monitorimit”;
Moduli 3, “Teknika të konsolidimit strukturor në ndërtesat historike”.
Pjesëmarrësit u ndanë në grupe duke analizuar dhe hartuar konceptin mbi përforcimin e strukturës së kishës së Shën Mëhillit dhe konkluduan me prezantimin final të detyrës së dhënë, si dhe diskutim të përbashkët mbi mënyrat e konsolidimit, pritshmëritë, rezultatet.
Pjesëmarrësit që ndoqën jo më pak se 90% të trajnimit dhe prezantuan konceptin e konsolidimit për kishën e Shën Mëhillit, Voskopojë, u pajisën me certifikatë pjesëmarrje të njohur nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”.
Galeri