Kurs rajonal ICCROM: Promovimi i qasjeve me fokus Komunitetin – Përfshirja e komuniteteve në konservimin e natyrës dhe kulturës

Kurs rajonal ICCROM: Promovimi i qasjeve me fokus Komunitetin – Përfshirja e komuniteteve në konservimin e natyrës dhe kulturës

Trajnimi pati për qëllim forcimin e njohurive dhe sigurimin e mjeteve për të punuar në mënyrë më efikase me komunitetet nëpërmjet sistemeve ekzistuese të menaxhimit. Ky trajnim ofroi mundësi edhe për pjesëmarrës nga rajoni i Evropës Juglindore të cilët janë të angazhuar në procese për përfshirjen e komunitetit, në menaxhimin e trashëgimisë dhe që dëshirojnë të ndajnë eksperiencën e tyre. Përfshirja e komuniteteve në të gjitha proceset e Trashëgimisë Botërore është theksuar vazhdimisht nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, si dhe theksohet në nenin 5 të Konventës, i cili i referohet rekomandimit që shtetet palë duhet të ndjekin një strategji të përgjithshme me qëllim që t’i jepet trashëgimisë kulturore dhe natyrore “një funksion në jetën e komunitetit”. Gjithashtu miratimi nga Asambleja e Përgjithshme e Shteteve Palë të Konventës së Trashëgimisë Botërore e linjës së veprimit për zhvillim të qëndrueshëm, thekson që përfshirja e komuniteteve është e detyrueshme për të arritur zhvillim të qëndrueshëm.

Ky kurs trajnimi i ICCROM pati gjithashtu për qëllim integrimin e sektorëve të trashëgimisë natyrore dhe kulturore, me krijimin e mundësive për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e specialistëve të të dy sektorëve, duke u parë si një mundësi për të krijuar një forum për pjesëmarrësit në mënyrë që të ndajnë përvojat e tyre. Kursi u nda ndërmjet leksioneve teorike, sesioneve interaktive për ndarjen e përvojave dhe ushtrime praktike bazuar në raste studimore konkrete.

Galeri