Atelie Restaurimi 2020: Konservimi i Mozaikut të Tiranës

Atelie Restaurimi 2020: Konservimi i Mozaikut të Tiranës

Shqipëria zotëron shumë site arkeologjike me mozaikë të cilat janë bërë tashmë objekt studimi, konservimi dhe restaurimi nga studiues shqiptarë apo nëpërmjet bashkëpunimeve ndërkombëtare. Sektori i Veprave të Artit pranë e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK) që prej krijimit të institucionit në vitin 1965, ka luajtur një rol parësor në gjurmimin, studimin, ruajtjen dhe konservimin e kësaj gjinie të veçantë të trashëgimisë kulturore materiale. Nevojat për përcaktimin nga ana e IKTK-së e kritereve shkencore për ruajtjen dhe konservimin e gjinisë së mozaikëve si dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në këtë fushë janë aktuale. Ky projekt ndërmerret, në përputhje me nevojën e identifikuar, në përputhje me misionin e IKTK-së mbi ruajtjen, konservimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore materiale, si dhe në përputhje me aktivitetin e Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim të Evropës Juglindore (QRKREJ) në forcimin e kapaciteteve profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore nën koordinimin e UNESCO-s. Atelieja e konservimit të Mozaikut të Tiranës” u realizua nga IKTK-ja nën koordinimin e QRKREJ, me ekspertizë nga Sektori i Artit dhe Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik, si dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK), Tiranë. Projekti për realizimin e punimeve të konsolidimit dhe të mirëmbajtjes u hartua nga IKTK-ja dhe DRTK Tiranë dhe u miratua në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale me Vendim Nr. 17, datë 25.06.2020.

Kjo atelie u konceptua në përshtatje me nevojën profesionale për forcimin e njohurive në këtë gjini monumentesh, por edhe në përshtatje me situatën e krijuar si pasojë e pandemisë globale Covid-19, duke u ofruar  në mënyrë të integruar midis sesioneve praktike dhe atyre teorike.

Punimet në mozaik përfshinë:

  • Konsolidimin struktural në thellësi, të pjesës veri lindore të ambientit qendor.
  • Eliminimin e depozitimeve sipërfaqësore të natyrave të ndryshme, si pasojë e ndotjes atmosferike si dhe eliminimin e kalcifikimeve gëlqerore.
  • Rivendosjen e teserave të shkëputura nga suporti i tyre si dhe trajtimin e krisjeve / çarjeve.
  • Përmirësimin e imazhit estetik të tre mozaikëve, me qëllim ekspozimin e tyre sa më dinjitoz për vizitorët.

Galeri