Atelie Restaurimi 2019: “Konservimi i pikturës murale në kishën e Shën Kostandinit dhe Helenës”

Atelie Restaurimi 2019: “Konservimi i pikturës murale në kishën e Shën Kostandinit dhe Helenës”

Atelieja e Restaurimit u realizua, në kuadër të partneritetit të IKTK-së me Shkollën e Galicia-s për konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore (Pontevedra, Spanjë) nëpërmjet programit ERASMUS + për vitin 2019. Si pjesë e këtij partneriteti, morën pjesë në këtë Atelie 4 (katër) ekspertë profesorë me përvojë në fushën e konservimit të pikturës murale, pjesë e stafit akademik të kësaj Shkolle. Atelieja e restaurimit u organizua dhe koordinua nga IKTK-ja nëpërmjet Qendrës Rajonale për Konservim dhe Restaurim të Evropës Juglindore. Punimet e konservimit u realizuan nën drejtimin teknik të sektorit të Veprave të Artit, IKTK, si dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Berat.

Piktura murale në Shqipëri është pjesë e pandashme e arkitekturës dhe të dyja këto gjini bashkëjetojnë në unitet të plotë stilistik në objekte të trashëgimisë. Kisha e Shën Kostandinit dhe Helenës e përzgjedhur si atelieja e rradhës ndodhet brenda mureve të kalasë së Beratit dhe mban statusin “Monument Kulture i kategorisë së parë”, i shpallur në vitin 1961. Piktura murale në këtë kishë zë një vend të rëndësishëm në studimin e etapave të zhvillimit të pikturës murale, atelieve artistike që kanë ushtruar aktivitet dhe rrymave artistike mbizotëruese në qytetin e Beratit dhe në territorin e Shqipërisë në përgjithësi.

Kjo Atelie Restaurimi u projektua në formë trajnimi nëpërmjet realizimit të punës konkrete në konservimin e pikturës murale në kishën e shën Kostandinit dhe Helenës, Berat, duke ofruar njohuri mbi proceset e zbatimit të një projekti konservimi të pikturës murale. Atelieja pati për qëllim, zhvillimin dhe forcimin e njohurive për pjesën e profesionistëve të rinj të Trashëgimisë Kulturore në gjininë e pikturës murale në Shqipëri dhe Kosovë. Qëllimi i trajnimit ishte gjithashtu të nxitja e shkëmbimit të përvojave dhe forcimi i njohurive dhe aftësive të reja, nëpërmjet sesione interaktive dhe punës konkrete në konservimin e pikturës murale. Programi përfshiu sesione teorike, punë praktike dhe vizita në terren.

Galeri