Atelie Restaurimi 2018: “Restaurimi i Kishës së Sergjit dhe Bakut”

Atelie Restaurimi 2018: “Restaurimi i Kishës së Sergjit dhe Bakut”

Atelieja e Restaurimit 2018, pati për qëllim forcimin e kapaciteteve në fushën e trashëgimisë kulturore, promovimin e trashëgimisë dhe përdorimit të metodave tradicionale në restaurim. Ky projekt u organizua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës nëpërmjet QRKREJ, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, GIZ Shqipëri, European Heritage Volunteers (EHV) me mbështetjen e Bashkisë Himarë.

Zhvillimi i ateliesë u konceptua si punë konkrete konservuese / restauruese në zbatim të projektit të restaurimit të Kishës së Shën Sergjit dhe Bakut, Himarë. Projekti i restaurimit u hartua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Vlorë. Punimet konservuese restauruese u përqendruan në kreun e strukturës murale dhe resturimin e çatisë së naosit të kishës nën drejtimin e stafit të specializuar të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Vlorë duke patur dhe angazhimin e mjeshtrave (karpentier dhe muratorë) të DRKK Berat për realizimin e punës. Pjesëmarrësit në Atelie, vullnetarë nga vende të ndryshme të Evropës dhe Shqipëria, u bënë pjesë e punës konkrete fizike restaururese si dhe duke përthitur konceptin praktik të restaurimit të kishës dhe njohjen me materialet dhe teknikat tradicionale. Përveç punës fizike restauruese në kishë, ky trajnim përfshiu dhe leksione dhe prezantime mbi njohjen e qendrës historike të Himarës dhe sfidat e shpalljes së saj nga specialistët e IMK, prezantim i projektit të restaurimit nga DRKK Vlorë, prezantim i Programit “Zhvillimi i integruar dhe i qëndrueshëm i rajonit bregdetar jugor” i zbatuar nga GIZ Albania, si dhe prezantim me “Udhëzuesin praktik për mbrojtjen dhe ruajtjen e banesave tradicionale në fshatrat e bregdetit të Himarës”, prezantim nga ana e EHV mbi programin me vullnetarë nga e gjithë Evropa në ndihmë të trashëgimisë kulturore.

Atelieja iu bashkua iniciativës europiane të rënies së këmbanave nismë kjo e ndërmarrë në Vitin Europian të trashëgimisë kulturore 2018, në datë 21 shtator mbasdite, në prani dhe të komunitetit lokal në një ceremoni inaugurimi përmbyllëse për punimet.

Galeri