12 Nov Kurs Trajnimi për restaurimin e objekteve material guri dhe mermeri
Periudha | Faza I-rë: 07 qershor - 23 korrik 2010 Faza II-të: 4 tetor - 19 nëntor 2010 |
Vendi | Tiranë |
Moduli | Shkenca e materialeve në proceset e konservimit dhe restaurimit |
Nr. i pjesëmarrësve | 7 - specialistë të sistemit të trashëgimisë kulturore pjesë e parqeve arkeologjike, DRTK-ve dhe MHK-së. |
Financimi | Kontribut i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane me koordinim të Zyrës së UNESCO-s në Venecia. |
Lektorë | 4 - ekspertë ndërkombëtarë |
Gjuha e trajnimit | Italisht |
Produkt | Përgjatë këtij trajnimi u restauruan 8 objekte të përzgjedhura nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe që më pas janë bërë pjesë e ekspozimit në pavilionin e ri të tij. |
Qëllimi i trajnimit | Përmirësimi i praktikës së konservimit të gurit, duke u siguruar pjesëmarrësve një kuptim tërësor të veçorive kimike dhe fizike të gurit dhe degradimit të tij, përhapjen e metodologjive efektive të konservimit dhe sigurimin e një kuptimi praktik të metodave të përshtatshme të restaurimit dhe të strategjisë së menaxhimit afatgjatë. |
Programi i këtij trajnimi i miratuar nga UNESCO BRESeE, u përshtat për të përmbushur nevojat e profesionistëve të rinj të trashëgimisë kulturore me qëllim aftësimin e tyre, duke trajtuar çështjet kryesore mbi konservimin e strukturave dhe objekteve historike prej guri.
Kursi u zhvillua i ndarë ndërmjet leksioneve teorike dhe punës praktike të zbatuar, në laboratorin e Restaurimit të Qendrës për Restaurimin e Trashëgimisë Kulturore në Tiranë. Ky kurs zgjati gjithsej 14 javë, i ndarë në dy faza nga 7 javë secila.
Faza e parë, sezoni i verës përfshiu periudhën 7 qershor – 23 korrik 2010.
Faza e dytë e trajnimit, sezoni i vjeshtës u zhvillua në periudhën 4 tetor – 19 nëntor 2010.
Sipas programit, tre javët e para të sezonit të verës u mbajtën leksione teorike për të prezantuar temat themelore teknike të restaurimit të gurit dhe pjesëmarrësit janë testuar për njohuritë e përfituara.
Leksionet teorike u përqëndruan në:
- Materiale dhe metodologji të trajtimit të gurit dhe ndërhyrje në to.
- Historinë e konservimit të gurit dhe të mermerit, metodologji dhe materiale.
- Gjeokiminë e mineraleve dhe shkëmbinjve, teknika dhe aspekte të degradimit.
Javët në vijim të sezonit të verës dhe i gjithë sezoni i vjeshtës, është përqëndruar në praktika në laborator me objektet e përzgjedhura nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit, por edhe me objekte jo origjinale si mostra pune për të testuar performancën, cilësinë dhe përshtatshmërinë e ndërhyrjes restauruese. Puna laboratorike synoi praktikimin e lëndëve të mësuara gjatë leksioneve teorike.
Praktikat kanë konsistuar në:
- Analizimin e veprave dhe diagnostifikimin e tyre.
- Dokumentimin grafik, fotografik dhe përshkrimor të veprave në gur dhe mermer.
- Operimi – pastrimi, konsolidimi dhe integrimi estetik i veprave.
Pjesëmarrësit që ndoqën jo më pak se 90% të trajnimit, janë pajisur me certifikatë pjesëmarrje të njohur nga UNESCO, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës.