12 Nov Kurs Trajnimi 2-vjeçar për Arkitektë dhe Restauratorë Arti “Restaurimi Arkitektonik i Monumenteve të Kulturës”
Periudha | Dhjetor 2007 – Nëntor 2009 |
Vendi | Berat, Tiranë |
Moduli | Teknika dhe metodologji të konservimit dhe restaurimit |
Nr. i pjesëmarrësve | 20 - specialistë të rinj të sapo punësuar në sistemin e trashëgimisë kulturore në varësi të Ministrisë së Kulturës |
Financimi | Kontribut i Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane me koordinim të Zyrës së UNESCO-s në Venecia. |
Lektorë kursi restaurimit të arkitekturës: | 8 - ekspertë kombëtarë 27 - ekspertë ndërkombëtarë |
Lektorë kursi i restaurimit të artit: | 8 - ekspertë kombëtarë 27 - ekspertë ndërkombëtarë |
Gjuha e trajnimit | Italisht, anglisht, shqip |
Produkt | - Studimi i thelluar dhe hartimi i projekteve të plota dhe të detajuara të restaurimit të kishave të Shën Mëri Vllaherna dhe Shën Triadha, si dhe xhaminë e Kuqe Berat. - Restaurimin e pikturës murale të kishës së Shën Kollit, Berat. - Botimi “Heritage in Albania – Centre for Restoration of Monuments in Tirana”. |
Qëllimi i trajnimit | Formimi i brezit të ri të specialistëve të sistemit të trashëgimisë kulturore, pjesë e institucioneve të specializuara në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të paluajtshme dhe të luajtshme. Ky trajnim ka siguruar ngritjen e aftësive të administratës në fushën e restaurimit të arkitekturës dhe artit (pikturë murale, mozaik, dekorim në allçi, punime druri). |
Ky kurs trajnimi ishte programi i parë për ngritjen e kapaciteteve profesionale mbi restaurimin arkitektonik të Monumenteve të Kulturës, i realizuar nga Qendra Rajonale për Konservim, Tiranë. Kursi i trajnimit 2-vjeçar, kishte në fokus rilevimin dhe restaurimin arkitektonik, si dhe konservimin dhe restaurimin e veprave të artit. Trajnimi përfshinte leksione dhe punë në terren dhe u konceptua i ndarë në tre simestre.
Semestri i parë i përbashkët duke njohur specialistët e rinj me koncepte që u adresohen të dyja disiplinave si restaurimit arkitektonik ashtu dhe konservimit të veprave të artit, duke siguruar kështu bashkëpunimin më tej gjatë punës mes specialistëve. Gjatë këtij simestri pjesëmarrësit u njohën me historinë dhe arkitekturën në Shqipëri të të gjitha gjinive, konceptet dhe teoritë dhe kartat kryesore të restaurimit dhe konservimit, kuadrin ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar në trashëgimi kulturore, metoda investiguese jo destruktive, monitorim dhe diagnostifikim të patologjive, muzeologji etj.
Semestri i dytë dhe i tretë për arkitektët dhe inxhinierët, u fokusua në leksione dhe punë praktike në objektet: kisha e Shën Mari Vllahernës, kisha e Shën Triadhës dhe Xhamia e Kuqe në Berat. Leksionet përfshinë njohuri të thelluara mbi konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës si dhe rilevimin me metoda tradicionale dhe bashkëkohore të objekteve të përzgjedhura.
Semestri i dytë dhe i tretë për restauratorët e artit, u fokusua në leksione dhe punë praktike në objektin kisha e Shën Nikollës në Berat dhe konkludoi me hartimin e projektit dhe restaurimin e plotë të pikturës murale. Leksionet përfshinë njohuri të thelluara mbi konservimin dhe restaurimin e pikturës murale, materialit të drurit dhe mozaikëve, metodologjinë e ndërhyrjeve, katalogimin, dokumentimin grafik dhe njohjen e materialeve kimike, si dhe analizat fiziko-kimike të materialeve.
Pjesëmarrësit që ndoqën jo më pak se 90% të trajnimit dhe dorëzuan projektet e plota të restaurimit, janë pajisur me certifikatë pjesëmarrje të njohur nga UNESCO, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës.