20 Aug Verifikim dhe dokumentim i gjurmëve të Urës së Haxhi Beqarit, Librazhd.
Si pasojë e uljes së nivelit të lumit Shkumbin, për herë të parë u mundësua dokumentimi i plotë i gjurmëve të Urës së Haxhi Beqarit.
Specialistët e IKTK-së realizuan dokumentimin e gjurmëve të saj, e ndodhur pranë fshatit Polis, në lindje të Elbasanit, përgjatë rrugës drejt Librazhdit dhe Ohrit.
Ura e Haxhi Beqarit, është monument kulture i kategorisë I, i shpallur në vitin 1984 dhe përbënte një pikë të rëndësishme të kalimit të rrugës Egnatia mbi lumin Shkumbin.
E vendosur në një pozicion strategjik, ura kishte tre harqe të mëdhenj dhe një strukturë të ndërtuar me gurë të përforcuar me elementë metalikë, si dhe kamare në pjesët mbështetëse. Sot ruhen vetëm rrënoja, ndërsa dokumentimi i saj mbështetet edhe në fotografi të vjetra.
Studimet tregojnë se ajo është ngritur mbi themelet e një ure të periudhës romake të shek. II–III, duke dëshmuar vazhdimësinë e këtij aksi të rëndësishëm rrugor ndër shekuj.